Në zbatim të ligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia e Kadastrës Shtetërore publikuan në Fletoren Zyrtare udhëzimin e përbashkët “Për tatimin mbi të ardhurat nga tjetërsimi i pasurive të paluajtshme”.
Ky udhëzim përcakton se zbritja prej 1% në vit do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme (apartamentet, dyqanet, parkime, bodrume, pishinë e hapur, ambiente sportive të hapura), ndërtimet për veprimtari industriale ku përfshihen fabrikat, magazinat, depot, magazinta frigoriferike të produkteve ushqimore, si dhe ndërtimi, që përdoren për bujqësi dhe blegtori, apo veprimtari mbështetëse).
Për të gjitha këto ndërtesa çmimeve të referencës, do t’i zbritet 1% e vlerës për çdo vit vjetërsi, pra për çdo vit që përdoret. Kjo nis direkt pasi merret pronësia për herë të parë.
“Në rastin e ndërtesave, kjo vlerë në shitje, për efekt të llogaritjes së detyrimit tatimor nga tjetërsimi i pasurisë̈ së paluajtshme, do të krahasohet me çmimet e referencës. Në rastet kur vlera e pasurisë̈ sipas çmimit të shitjes për metër katror (m2) të përcaktuar në kontratë është më e ulët se vlera sipas çmimeve referuese, atëherë si çmim i supozuar shitje do të merret në konsideratë çmimi i referencës së zonës/qytetit. Çmimeve të referencës, do t’i zbritet 1% e vlerës për çdo vit të plotë shtesë përdorimi, duke filluar nga data e fitimit të titullit të pronësisë për herë të parë. Zbritja prej 1% do të aplikohet për të gjitha llojet e pasurive të paluajtshme të cituara në germat “a” deri në “dh” të kësaj pike. Kjo zbritje nuk duhet të jetë më e madhe se 30% e çmimit të referencës”, thuhet në udhëzimin e publikuar nga Ministria e Financave.
Udhëzimi përcakton se në rastet e shitjes së ndërtesave (përjashtuar apartamentet dhe ndërtimet e përfituara me legalizim) me koeficient amortizimi mbi 50%, vlera e shitjes së pasurisë së paluajtshme për efekt të tatimit do të përcaktohet nga persona të licencuar për vlerësimin e pasurive të paluajtshme, që do të merren parasysh nga ASHK-ja vetëm një herë.
Në rastet kur vlera e ndërtesës e përcaktuar nga një ekspert i licencuar është më e vogël se gjysma e vlerës së përcaktuar sipas çmimeve referuese, merret në konsideratë përcaktimi i këtij të fundit.